Qitje
Në se do të flitej për sportin e qitjes në Shqipëri, nuk do të kishte kuptim të mos shkruhej në fillim për qitjen në KS Tirana. Dhe në se do të shkruhej e flitej për këtë të fundit, do të ishte vërtet padrejtësi të mos përmendej në krye të herës familja Mata. Themi kështu sepse ky emër në sportin e qitjes do të thotë kampionë, rekordmenë, medalistë kombëtarë, ballkanikë, europianë e më gjerë. Dhe në këto suksese familja Mata mban “peshën” më të madhe, e cila dukshëm mund të konstatohet edhe me peshën në kilogram që përbëjnë medaljet e fituara deri tani. Pa dyshim në to është edhe puna ndër vite e trajnerëve, sportistëve e specialistëve të këtij sporti, por veçanërisht e një njeriu, që ka punuar me mish e me shpirt me përkushtim të veçantë gjatë gjithë jetës së tij. Konkretisht e kemi fjalën për të palodhurin Ali Mata, i cili si baba u ka mëkuar jo vetëm fëmijëve të tij, por gjithë sportistëve përmbi katër dekada dashurinë për sportin burrëror e të guximshëm të qitjes, kurse si trajner u ka mësuar të fshehtat për arritjen e sukseseve. Nën drejtimin e trajnerit Ali Mata “Mjeshtër i Merituar”, “Trajner Kombëtar” ekipi i qitjes i KS Tirana ka bilance të papërsëritshëm e të niveleve mjaft të larta. Në krye të 60 djemve e 60 vajzave për të gjitha moshat, veç disa kampionëve të Ballkanit janë arritur dy kampione dhe një nënkampione e Europës, pesë vende të tretë në kampionatet botërorë, një mjeshtre e botës, janë fituar 36 kampionate kombëtare, 35 kupa të Shqipërisë, të gjitha Spartakiadat kombëtare (gjithsej gjashtë) dhe janë nxjerrë 38 mjeshtra sporti, veç pesë mjeshtrave të merituar. Dhe në këto arritje merita e padiskutueshme është e të gjithë emrave të mëposhtëm: Emanuela Kola, Eglantina Lalmi, Ermira Dingu, Djana Mata, Liri Beqja, Lindita Zeqo, Afërdita Tusha, Urani Dhora, Minushe Skënderi, Meriban Oseku, Marjana Mata, Silvana Domi, Edlira Shyti, Nazire Galanxhi, Feruze Serani, Shpresa Seseri, Brunilda Kiri, Dhurata Baholli, Aida Bogdani, Shefqet Mata, Gëzim Alimehmeti, Skënder Mata, Reshit Maloku, Ali Mata, Faik Basha, Muhamed Dashi, Zenel Zeneli, Xhavit Muça, Qemal Murthi, Asllan Berto, Vladimir Bilali, Alfred Damo, Mario Kostaqi, Fatos Pilkati, Hysni Gjuzi, Halil Doku, Roland Jegeni, Edmond Haxhimihali, Ismail Rama, Nexhmi Pulleja, Besim Murthi, Shefikat Brahja, Maliq Demneri etj.