Volejboll Meshkuj
Volejbolli në krahasim me sportet e tjerë është relativisht i ri. Kampionati i parë i volejbollit në vendin tonë është zhvilluar në vitin 1933 në Tiranë.Vetëm një vit më vonë, pra më 1934 u zhvillua në Tiranë kampionati krahinor i volejbollit. Kështu në radhët e Shkollës Teknike spikatnin emrat Riza Lushta (Llustra) e Naim Kryeziu që do të bënin emër në radhët e skuadrës së futbollit të Sport Klubit Tirana, nga ku më pas do të shkëlqenin nëpër stadiumet e Italisë në radhët e Juventusit dhe të Romës. Në radhët e Sport Klubit Tirana bënin pjesë Arif Peza, Hysen (Dake) Kusi e Foto Janku, që po ashtu shkëlqyen më pas tek ekipi i futbollit i Sport Klubit. E njejta gjë ishte edhe në skuadrën e Gjimnazit të shtetit ku nuk mungonin emrat e Sulejman Lleshit, Halim Begejës e Maliq Petrelës që po ashtu do të luanin e do të fitonin tituj kampion me bardheblutë e Sport Klubit Tirana. Ndërkohë duhet të themi se ishte skuadra e Gjimnazit që në përfundim të këtij kampionati u rendit e para.
Më 2 shtator me krijimin e Federatës së Sporteve të Shqipërisë volejbolli u përhap në të gjithë Shqipërinë, në formë më të organizuar. Kështu një vit më pas, më 1946 nisi edhe zhvillimi i rregullt i kampionateve. Dhe për bardheblutë nuk do të vonojnë sukseset. Janë tre tituj kampion radhazi më 1947, 1948 dhe 1949.Në kampionatin e vitit 1957 ata prekin sërish titullin kampion, që për ta ishte i katërti, ndërkohë që për të shijuar sërish titullin kampion do t’u duhet të presin jo pak por 30 vite. Dhe janë dy tituj kampion njëri pas tjetrit në sezonet 1986-1987 dhe 1987-1988. Pas kësaj shumë shpejt djemtë bardheblu në sezonet 1991-1992, 1992-1993 dhe 1993-1994 do të vargëzojnë tre tituj njëri pas tjetrit duke e ngritur në nëntë numrin e titujve kampionë. Një arritje kjo që pa dyshim është fryt i punës cilësore të trajnerëve të njohur: Enver Maçi, Thanas Mitrushi, Andon Kona, Ali Lulolli, Thoma Kuke, Gjergj Pishtari, Arjan Voci, Fatmir Sharofi, Ardian Gorenca, Ilia Koja, Adnan Llagami, Andrea Xhori, Ilia Gaxho, Ilir Xhemalçe, Manun Ceka, Uran Alite, Uran Toptani, Harun Dojaka etj., pa harruar kurrsesi mundin e djersën e dhjetra volejbollistëve si: Xhelal Turku, Pëllumb Pelivani, Mërgim Korça, Dilaver Toptani, Egon Gjadri, Shefqet Kau, Ismail Maloku, Qemal Gjinali, Harun Dojaka, Zef Toska, Vasil Binga, Mit’hat Keta, Bilal Fuga, Muharrem Dervishi, Fatmir Sharofi, Njazi Kosovrasti, Vesel Rizvanolli, Adnan Llagami, Xhavit Laçi, Fatmir Bulku, Edmond Fagu, Lulzim Demneri, Irfan Baçi, Agim Korbi, Dhimitraq Sallata, Gjergj Pishtari, Agim Reka, Ened Tufa, Hamdi Reka, Safet Kastrati, Gjergj Krroqi, Kostaq Skënderi, Skënder Qefalia, Ilia Koja, Genc Tafaj, Valentin Hoxha, Arjan Korça, Rajmond Gjerazi, Ardian Gorenca, Arben Rakipi, Edison Pashaj, Engjëll Hysenbegasi, Roland Gavazi, Fatmir Sota, Arben Gjino, Arbenc Vokopola, Andon Beqari, Pëllumb Meçani, Romeo Kora, Gëzim Selenica, Gëzim Musai, Arben Sako, Sokol Hakrama etj.